Nga Ermal Mulosmani
Edi Rama foli sot përsëri para deputetëve të tij të ngratë. Një monolog i gjatë e viktimizues, në përpjekje për të gjetur arsyen e kësaj gjëme që po i ndodh pa pritë e pa pandehur!
Ç’ishte kjo sokëllimë prej hiçgjëkundit që shpërtheu në sheshin e vëmendjes prej histerikëve të diskursit?
Zoti Rama, dishepulli më i spikatur i vëmendjes, shpikësi më i madh i situatave që blejnë vëmendje, befas na tregoi se sot jemi në “shoqërinë e vëmendjes dhe algoritmit”!
Pata një kënaqësi të veçantë ta shoh këtë bullist të pashoq, këtë zot të bullizmit, t’i shpjegojë turmës së tij të lodhur e të djersitur sesi arsyeja e ka të humbur betejën me fuqinë e algoritmit!
Sipas zotit Rama, janë zotat e algoritmit që stimulojnë dramën, skandalin, shpifjen dhe zhdukin si armiq të tyre të vërtetën, arsyen dhe faktin.
Gati nuk po qante për këtë dramë të kohës sonë, bash ai që algoritmin e ka në shpirt, në vena, në zemër! Ai që jeton për shfaqjen, batutën, formën; ekzibicionisti më i madh në botë; kryeministri i brekusheve, barcaletave dhe delirimeve në zgrip të budallallëkut, po ankohej që shekulli ynë është shekulli i algoritmit.
Më kujtoi një skenë nga Don Kishoti, të cilën e përmend Kundera te eseja Perdja.
Don Kishoti, pasi rruhet në një berberhane, merr legenin dhe e vë në kokë. E quan helmetë. Me të futet në një klub plot me njerëz. Pas tij rend, me të drejtën e së vërtetës, berberi. Futet në klub dhe kërkon mbrapsht legenin e tij. Don Kishoti refuzon:
“Kjo është helmeta ime, jo legeni yt” – i thotë.
Berberi po plaste nga inati. Për të dalë nga situata, kërkon një votim të fshehtë të të gjithë njerëzve në klub. Don Kishoti pajtohet. Me shumicë absolute votash del që objekti në kokën e Don Kishotit është helmetë, kurrsesi legen.
Të gjithë tallen me berberin. Në rastin tonë, me Kryeministrin. Po ia quajnë legenin helmetë! Dhe e qeshin.
Rama po e shiste veten si viktimë të algoritmit. Kjo është njësoj sikur Gëbelsi të shitej si viktimë e propagandës.
Për të mos e zgjatur këtë shkrim më shumë seç duhet, zoti Rama duhet të kuptojë një gjë: nuk ka asnjë algoritëm, asnjë shtysë të huaj apo komplot ndërkombëtar që ndez një zjarr të mosarsyes. Diçka ka gjithmonë që një shkëndijë ndez një zjarr: drutë janë gati.
Është gjithmonë një shqisë e gjashtë që turma e ka në ADN-në e vet dhe që e ndez atë. Është e vërtetë që ata rendin nga një arsye te tjetra, sepse e ndjejnë thellë se janë të manipuluar. Nëse do të më kërkohej mua, arsyeja e parë dhe kryesore e revoltës është mospjesëmarrja në pushtet!
Po, zoti Rama, mospjesëmarrja është arsyeja kryesore. Përjashtimi në gjithçka, në çdo vendimmarrje! Është e tmerrshme të kuptosh që gjithçka në këtë vend e vendos një njeri, i vetmi njeri. Edhe ngjyrat e një shtëpie në Vuno apo Lukovë, edhe drejtorin e interesit më të humbur e vendos Kryeministri! Kurrë nuk ka pasur një piramidë të tillë delirante vendimmarrjeje! Unë fyhem edhe kur emëron apo ç’emëron ministrat e tu, zoti Rama. Çfarë përdhosjeje publike e dinjitetit kur i shoh t’u dridhet mjekra nga befasia që u zbriti nga Olimpi! Në piramidën e veseve të zotit Rama, krejt në majë do të vija arrogancën poshtëruese.
E dyta, zoti Rama (që në fakt është e para): ju qeverisni në një aleancë me bosët e krimit, biznesit dhe medias. Nuk është opinion kjo; është e vërtetuar me dosjet e SPAK-ut, ku shumë prej pronave të trafikantëve më të mëdhenj ndërkombëtarë janë konfiskuar në zonat më elitare të ndërtimit, atje ku për gjithçka duhet firma juaj. Si mbërritën te ju këta shkatërrues të përparimit? Si ua dhe pothuajse 1 milion metra katrorë leje këtyre kreshnikëve të narkotrafikut? Ndoshta ky është një lloj vizioni për kapitalizmin, por ka një të keqe.
E dini cila është e keqja kryesore? Sepse paratë e tyre të instaluara në ekonomi janë shkatërrimtare për ekonominë e të varfërve dhe të shtresës së mesme. Me ardhjen e atyre parave, çdo çmim konsumi u bë dyfish, megjithëse leku po bën kërdinë ndaj euros. Si mund ta shpjegoj që euro bie me 40% dhe çmimi i mallrave të importit rritet me 80%?! Dhe këto kosto nuk i ndjeni ju, zoti Kryeministër, as klientët apo kolegët tuaj. I ndjejnë më së shumti ata që mbushin sheshin televiziv, siç e quanit ju.
E treta, zoti Rama, është fakti që eksponentët e qeverisjes suaj kanë dalë në përgjime duke ndarë paratë e shtetit sikur të ishin të tyret. Dakord, mund të thoni që edhe vende të tjera bëjnë të tilla; nuk jam kundër. Por hajduti që kapet futet në burg, zoti Rama. Ai që nuk kapet, shijon produktet e “punës” së tij. Znj. Balluku është kapur me presh në dorë, zoti Rama. Gjëra të vogla, por është kapur. Ti na tregove me arrogancën karakteristike se nuk pyet as për SPAK-un e as për opinionin publik. Na the: “Kam 83 vota.” Ja, edhe kjo na fyeu, zoti Rama.
Prandaj, edhe në mos e dinë ta shprehin mirë pse po dalin, ti duhet ta vrasësh pak mendjen:
“Çfarë kanë këta pionierë të algoritmit me mua?”
Me pak fjalë, ose më mirë me një fjalë, i mundon një virus i tmerrshëm: pafuqia përballë teje dhe arrogancës së pushtetit tënd.
Ja, kjo është.
Algoritmi është pasojë.
