Nga Gjergj Erebara
Kryeministri Edi Rama akuzoi si autore për ndërtim pa leje, duke insinuuar hipokrizi, një prej dhjetëramijëra protestuesve që po kërkojnë dorëheqjen e tij dhe rrëzimin e sistemit që ai dhe kreu i opozitës Sali Berisha krijuan tetëmbëdhjetë vjet më parë, por aktivistja Entela Spahivogli iu përgjigj duke treguar se ndërtesa në fjalë i përket vitit 1941 dhe nuk është pa leje. Ndërkohë, pamjet filmike të vitit 1966 duket se tregojnë se ndërtesa që Rama e cilësoi si pa leje ka qenë në të njëjtën gjendje së paku që nga ajo kohë.
Kryeministri publikoi një foto të aktivistes e cila po bënte thirrje për protestë si dhe një foto të një ndërtese duke shkruar: “Majtas: Një shtesë skandaloze pa leje brenda mureve të kalasë së Durrësit. […] Djathtas: Një protestuese e përbetuar për mbrojtjen e mjedisit […] Ajo është vetë ndërtuesja e shtesës pa leje.”
Ndërtesa e paraqitur nga kryeministri është katër katëshe nga të cilat, tre katet e para janë të restauruara ndërsa kati i katërt është i parestauruar. Por ndryshe nga sa akuzon kryeministri, Spahivogli, një nga protestueset kundër projektit TID në Durrës, projekt për të cilin qytetarët protestojnë veçanërisht për shkak të vlerës së ulët të kompensimit të ofruar, vlerë që i nxjerr ata praktikisht të pastrehë, tha se ndërtesa në fjalë, jo vetëm që është me leje dhe jo vetëm që ajo nuk është akuzuar ndonjëherë për ndërtim pa leje, por i përket vitit 1941.
“Përpara se të shpifni, z. Kryeministër, verifikoni faktet,” deklaroi Spahivogli.
“Objekti që ju paraqisni si “shtesë pa leje” është pjesë e një ndërtese të ndërtuar nga familjet Koja dhe Jakoel që në vitin 1941, me projekt dhe ndërtues italianë. Historia e saj vërtetohet me dokumente ligjore e historike, fotografi, filma dhe dëshmi të kohës,” shtoi ajo.
Aleksandër Cangonja, një qytetar nga Durrësi i apasionuar pas dokumenteve historike, publikoi një kuadër të marrë nga një xhirim i ruajtur në Arkivën Qendrore të Filmit në të cilën ndërtesa paraqitet njësoj si në foton e kryeministrit, pra pa ndërtim pa leje.
“Pamja e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, e realizuar para vitit 1966, tregon qartë se objekti ishte ndërtuar në formën që ka edhe sot,” shkroi Cangonja.
Kryeministri nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.
Kryeministri Edi Rama po përballet me krizën më të madhe politike në karrierën e tij që nisi në vitin 1998. Që prej 21 ditësh, mijëra qytetarë kërkojnë dorëheqjen e tij dhe ndryshim tërësor politik në vend. Në ditë të caktuara, si në mbrëmjen e 20 qershorit, numri i protestuesve duket se arrin në dhjetëramijëra e ndoshta në më shumë se 100 mijë.
Protestuesit e kanë etiketuar protestën si “Revolucioni i Flamingove”, për të sinjalizuar se kërkojnë jo thjeshtë rrëzim të një kryeministri, por ndryshim epokal në politikëbërje.
Kryeministri i shtohet në këtë mënyrë listës së zyrtarëve të tjerë socialistë të cilët kanë përdorur informacione dukshëm të pavërteta për të sulmuar protestuesit. Protestuesit janë sulmuar mes të tjerash si agjentë të armiqve ndërsa Rama ka ngritur hipotezën pa ofruar fakte se protestat, larg të qenit shprehi e zemëratës popullore ndaj qeverisjes së tij, janë produkt i “luftës hibride”.
Më herët, deputeti Taulant Balla publikoi një foto të një automjeti me targa serbe në Zvërnec duke sugjeruar se mes protestuesve kishte “serbë”. Pasi u bë botërisht e ditur se automjeti nuk i përkiste protestuesve serbë, por një ekipi gazetarësh të agjencisë Reuters, Balla duket se injoroi faktet dhe vijon të mbajë postimin pa e tërhequr atë dhe pa kërkuar ndjesë./Reporter.al

