Nga Hysamedin Feraj:
Janë shumë të shqetësuar e të zemëruar:
— pse shqiptarët, kudo që janë, po ndahen e po bashkohen sipas ideve, besimeve, vlerave dhe ndjenjave politike, pa respekt për ata kufij të dhunshëm të atij viti të mbrapshtë!
— pse po bashkohen kundër rojeve të kufijve londinezë, jugosllavë e grekë!
— pse kufijtë fizikë londinezë shqiptarët nuk i kanë kthyer, si ata, në kufij të ndjenjave të brendshme, megjithëse Konferenca e Fuqive të Mëdha nuk e kishte vendosur këtë detyrim!
— pse shqiptarët po bashkohen aty ku mund të bashkohen: në mbrojtje të interesave kombëtare, pa respekt për kufijtë e dhunshëm!
II
— Më të zemëruarit e më të shqetësuarit ngaqë po shkelen ata kufij, sot po shfaqen rojet e tyre kosovariste. Më të zemëruarit,
— pse shqiptarët po përzihen në punët e brendshme të… kombit shqiptar (!) në vend që ta mbyllin veten, si ata, brenda kufijve të dhunshëm!
— pse populli po sheh hipokrizinë e tyre: rojet e kufijve, kudo që janë, megjithatë vetë po ndërhyjnë në “punët e brendshme të tjetrit”, tërë ditën e tërë natën, kundër protestuesve në Tiranë.
— të zemëruar sepse as Edi Rama, edhe pse nuk i pëlqen aspak, nuk e quan ndërhyrje në “punët e brendshme” të Shqipërisë!
III
— Kufijtë londinezë janë ruajtur për mbi një shekull, sepse për mbrojtjen e tyre kurrë nuk kanë munguar rojet shqiptare nga të gjitha anët!
— Çdo shqiptar që jeton brenda kombit shqiptar e brenda përfytyrimit të atdheut kombëtar ka të drejtë e detyrë, kudo që ndodhet fizikisht, sociologjikisht apo fetarisht, të marrë pjesë në punët e kombit e të atdheut të vet.
— Secili mund të ndahet me disa e të bashkohet me të tjerë për ide, besime e vlera politike, por kurrë nuk duhet t’i ndalohet nga jashtë tij/saj që të marrë pjesë në punët e kombit të vet!
Sot, nesër, pasnesër…
Edhe më shumë!
