TIRANË – Gazetari Osman Stafa ka reaguar pasi u sulmua nga dy persona pranë qendrës së Tiranës, duke e cilësuar ngjarjen si një sulm të drejtpërdrejtë për shkak të detyrës së tij si gazetar.

Në një lidhje për News24, pas kallëzimit në Komisariatin nr. 3, Stafa tha se autorët e njihnin dhe ishin të pakënaqur me raportimet e tij, si edhe me mbështetjen që ai i ka dhënë protestës qytetare.

“Ishin dy persona që ishin të shqetësuar për raportimet dhe mbështetjen që i kam dhënë protestës. E dinin që isha gazetar dhe erdhën duke më ofenduar e duke më sulmuar fizikisht. Ishte një sulm i mirëfilltë ndaj detyrës sime”, deklaroi ai.

Sipas Stafës, në momentin e incidentit ai ndodhej në shoqërinë e dy gazetarëve të huaj, një italiani dhe një polakeje, ndërsa po lëviznin për të ndjekur zhvillimet e protestës.

Gazetari hodhi poshtë pretendimet se kishte provokuar personat e përfshirë në incident, duke theksuar se ata iu afruan me qëllim për ta sulmuar për shkak të angazhimit të tij qytetar dhe profesional.

Ai shtoi se më herët ka marrë edhe kërcënime për jetën, të cilat i ka denoncuar në Policinë e Shtetit, duke përmendur një mesazh ku paralajmërohej të mos paraqitej pranë Spitalit Onkologjik.

“Nuk jam shoqëruar nga policia. Kam ardhur vetë për të kallëzuar dy personat që më sulmuan. Kjo ishte një goditje ndaj lirisë së shprehjes dhe punës sime si gazetar”, përfundoi Stafa.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *