Pas 23 ditësh protestash të pandërprera në kryeqytet, ku nuk është regjistruar asnjë episod dhune, përplasjeje apo dëmtimi të pronës publike, kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale një video ku shfaqen disa bidonë uji dhe një flamingo dekorative të lëna në bulevard pas tubimit të mbrëmshëm.
Duke shoqëruar pamjet me një koment ironik, Rama shkroi: “Një natë në kryeqytet, si metafora e fundit të një proteste që nisi për mbrojtjen e mjedisit dhe bitisi me ndotjen e vetvetes”.
Megjithatë, përgjatë më shumë se tre javëve protestë, qytetarët janë dalluar për sjellje paqësore dhe organizim, duke pastruar çdo mbrëmje zonat ku janë zhvilluar tubimet. Në asnjë prej protestave nuk është raportuar për xhama të thyer, akte vandalizmi apo incidente me policinë.
Protesta e së dielës ishte e 23-ta me radhë e organizuar nga qytetarë që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë, ndërsa pjesëmarrja dhe mbështetja publike vijojnë të mbeten të larta.
