Media amerikane Fox News i ka kushtuar vëmendje protestave që prej javësh po zhvillohen në Shqipëri, duke theksuar se qeveria e kryeministrit Edi Rama po përballet me presion gjithnjë e më të madh nga qytetarët që kërkojnë dorëheqjen e tij.
Sipas artikullit, shkëndija që ndezi protestat ishte projekti shumëmiliardë dollarësh i investitorit amerikan Jared Kushner dhe kompanisë Affinity Partners për zhvillimin e dy resorteve luksoze në Sazan dhe Zvërnec. Fox News vë në dukje se Sazani strehon një ish-bazë ushtarake sovjetike, ndërsa zona e Zvërnecit është pjesë e peizazhit të mbrojtur Vjosa-Nartë, habitat i fokës-murg, flamingove dhe breshkave të detit.
Media amerikane nënvizon se, pavarësisht mbrojtjes që Rama i ka bërë projektit, Parlamenti Europian i kërkoi qeverisë shqiptare të ndalojë ndërtimet në zonat e mbrojtura dhe të vendosë një moratorium për lejet e reja në këto territore.
Fox News sjell edhe reagimet e ish-ambasadorit shqiptar në SHBA dhe OKB, Agim Nesho, i cili deklaron se protestat nuk janë kundër investitorëve të huaj, por kundër korrupsionit dhe mungesës së llogaridhënies së qeverisë.
Ndërkohë, kryeredaktori i “The Under Report”, Eric Czuleger, i cili ka dokumentuar protestat në Shqipëri, tha për Fox News se qeveria nuk është përballur kurrë më parë me një presion të tillë popullor dhe se përpjekjet për të minimizuar apo delegjitimuar protestat nuk kanë dhënë rezultat.
Nga ana tjetër, qeveria shqiptare mbrojti projektet, duke deklaruar se ato do t’i nënshtrohen vlerësimeve të thelluara mjedisore dhe se pretendimet për heqjen e statusit të mbrojtur të zonave janë të pavërteta.
Artikulli përmbyllet me deklaratën e Asher Abehsera, drejtues i projektit në Sazan, i cili tha se synimi është krijimi i një destinacioni turistik të klasit botëror, me respekt për mjedisin dhe me ndikim afatgjatë në ekonominë shqiptare.
