Nga Lutfi Dervishi

Përpara se të anatemohet prania e një apo dhjetëra shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia e Veriut apo diaspora në protestat e Tiranës, vlen të kujtohen disa fakte elementare.

Nga Kosova regjistrohen rreth 4.6 milionë hyrje në vit; nga Maqedonia e Veriut rreth 750 mijë. Bashkë, ata përbëjnë thuajse gjysmën e “mrekullisë” prej 12 milionë turistësh që pushteti e trumbeton me krenari nëpër statistika.

Pastaj vjen radha e diasporës. Janë po këta njerëz që prej dekadash e mbajnë në këmbë ekonominë me remitanca, që blejnë shtëpi, hapin biznese dhe mbushin aeroportet e plazhet çdo sezon. Kur dërgojnë para, pagëzohen si “motori i zhvillimit”. Kur promovojnë Shqipërinë jashtë, shpallen “ambasadorët tanë më të mirë”. Kur thonë fjalë të mira për qeverinë, u shtrohet tapeti i kuq dhe u bëhet vendi gati në studio televizive.
Por mjafton që disa prej tyre të shfaqen në një shesh proteste, që magjia të prishet. Brenda natës, ata shndërrohen në “të ardhur nga jashtë”, “të manipuluar” apo “agjentë” të agjendave të dyshimta.

Dhe nuk po flasim për të panjohur pa asnjë lidhje me këtë tokë.

Kosova na dha Lidhjen e Prizrenit dhe themelet e historisë moderne kombëtare. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut na kujtojnë Kongresin e Manastirit dhe alfabetin me të cilin shkruajmë sot. Ndërsa diaspora ka mbajtur gjallë frymëmarrjen e mijëra familjeve në ditët tona më të vështira.

Prandaj, ky standard i dyfishtë është sa absurd, aq edhe fyes: kur sjellin valuta, investime apo elozhe, janë shqiptarë model; kur guxojnë të sjellin kritika apo të bashkohen në një kauzë qytetare, trajtohen si të huaj pa të drejtë vote. Nëse kanë të drejtën legjitime të kontribuojnë për këtë vend, kanë të njëjtën të drejtë edhe të shqetësohen e të flasin për të. Sheshi dhe debati publik nuk mund të kenë doganë. Apo mos duhet t’u vendosim edhe një tra tjetër në sheshin “Skënderbej”?

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *