Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka hedhur poshtë pretendimet se partia e tij ka ndonjë rol në protestat që po zhvillohen në Shqipëri prej 23 ditësh.
Në një deklaratë për mediat, Dugolli theksoi se Vetëvendosje nuk është e përfshirë në organizimin apo drejtimin e protestave, ndërsa pranoi se disa aktivistë dhe zyrtarë të saj i mbështesin individualisht kërkesat e qytetarëve.
“Vetëvendosje nuk ka të bëjë asgjë me këtë protestë. Disa aktivistë apo eksponentë të saj solidarizohen me shqetësimet dhe kërkesat e drejta të qytetarëve, por partia nuk ka asnjë rol të veçantë në këtë revoltë”, u shpreh ai.
Dugolli i kërkoi kryeministrit Edi Rama të shmangë akuzat ndaj Vetëvendosjes dhe të fokusohet te kërkesat e protestuesve.
“Rama duhet të komunikojë me qytetarët e revoltuar të Shqipërisë dhe me mërgatën që po proteston. Ai duhet të japë llogari dhe të reflektojë ndaj kërkesave të tyre, jo të merret me Vetëvendosjen”, tha Dugolli.
Sipas tij, protesta është një shprehje e pakënaqësisë së qytetarëve shqiptarë ndaj klasës politike dhe nuk lidhet me ndërhyrje apo organizime nga Kosova.
Reagimi i Dugollit vjen pasi Rama, në një prej deklaratave të fundit, kritikoi pjesëmarrës nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke përmendur edhe mbështetës të Vetëvendosjes që, sipas tij, janë përfshirë në atë që e quajti “çorbë dreqërish”.
Dugolli këmbënguli se kryeministri shqiptar duhet të dëgjojë mesazhin që po vjen nga sheshet dhe jo të kërkojë fajtorë jashtë protestës.
“Qytetarët e Shqipërisë dhe mërgata po shprehin revoltën e tyre ndaj klasës politike aktuale. Rama duhet të komunikojë me ta dhe të reflektojë ndaj kërkesave të tyre”, përfundoi ai.
