Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka hedhur akuza të forta ndaj Dritan Goxhaj pas protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, ku ky i fundit lexoi kërkesat e protestuesve.
Sipas Ballës, Goxhaj po vepron si “zëdhënës” i Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri dhe prej kohësh ka mbrojtur publikisht regjimin iranian, ndërsa ka sulmuar SHBA-në, Izraelin dhe vetë Shqipërinë.
“Sot skenari u zbardh plotësisht. Deklaratën në emër të protestuesve e mbajti ‘zëdhënësi’ i Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri. Është e paimagjinueshme që një ish-pjesëmarrës në UÇK të bëjë sot avokatin e regjimit terrorist iranian kundër aleatit tonë strategjik, SHBA-së”, deklaroi Balla.
Zyrtari socialist tha se zhvillimet e fundit po nxjerrin në pah, sipas tij, prapaskenat e protestës dhe identitetin e atyre që po e mbështesin atë.
“Tani ‘patriotët’ dhe ditëzinjtë ta gëzojnë vulën e turpit. Avash-avash, të gjitha po dalin në dritë”, u shpreh Balla, duke ironizuar edhe figurën simbolike të flamingove të përdorura nga protestuesit.
