Shqipëria vijon të përballet me vështirësi në tregun e punës për të rinjtë. Sipas të dhënave të INSTAT, 20,1% e të rinjve të grupmoshës 15–29 vjeç rezultuan gjatë vitit 2025 jashtë sistemit arsimor, pa punë dhe pa përfshirje në formim profesional (NEET).
Brenda kësaj kategorie, 38,5% janë të papunë aktivë dhe në kërkim të një vendi pune, 1,6% janë të dekurajuar, ndërsa 19,5% janë të angazhuar në kujdesin për familjen ose fëmijët.
Sipas INSTAT, meshkujt janë më aktivë në tregun e punës sesa femrat. Rreth 46,5% e meshkujve NEET kërkojnë punë, krahasuar me 31,9% të femrave.
Shqipëria ka një nga nivelet më të larta të të rinjve NEET në rajon, pas Kosovës, dhe pothuajse dyfishin e mesatares së Bashkimit Evropian. Ndërkohë, papunësia tek të rinjtë 15–24 vjeç mbetet në nivelin 21,5%, dukshëm më e lartë se papunësia në popullsinë e përgjithshme.
Burimi: Monitor.al
