Avokati i Popullit, Endri Shabani, gjatë prezantimit të Raportit Vjetor për vitin 2025 në Vlorë, foli edhe për protestat dhe rolin e institucionit që drejton.
Shabani deklaroi se detyra e Avokatit të Popullit nuk është të mbajë qëndrime politike apo të mbështesë kërkesa të caktuara, por të mbrojë të drejtat e qytetarëve dhe të evidentojë çdo rast ku ato cenohen.
Ai u shpreh se në Vlorë pjesa më e madhe e ankesave të qytetarëve lidhen me çështjet e pronave, Kadastrën, shpërdorimin e detyrës dhe problematika me administrimin e pronës.
Lidhur me komentet negative ndaj bizneseve në platformat online, Shabani tha se institucioni nuk disponon ende informacion të plotë për rastet, por nëse konstatohet cenim i lirisë së shprehjes së qytetarëve, do të nisë një hetim dhe do të ketë reagim zyrtar.
