Gazetari Osman Stafa ka reaguar me një status të gjatë në rrjetet sociale ndaj gazetarit Berat Buzhala, duke kundërshtuar komentet e tij mbi situatën në Shqipëri dhe protestat e zhvilluara në vend.
Stafa ndalet fillimisht te krahasimi që Buzhala bën mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke u shprehur se është dakord me faktin se në Kosovë “highlight-i i verës është korrja e grurit”, pasi, sipas tij, një shtet serioz e konsideron sukses prodhimin e bukës për qytetarët e vet. Ai shton se, në Shqipëri, sipas tij, vëmendja është zhvendosur te koncertet, spektakli dhe propaganda, ndërkohë që vendi mbetet i varur nga importi i grurit.
Më tej, gazetari rendit një sërë krahasimesh në fushën e shëndetësisë, duke pretenduar se Kosova disponon PET/CT, më shumë kapacitete për kimioterapi dhe brakiterapi funksionale, ndërsa Shqipëria përballet me mungesa në këto shërbime.
Ai thekson gjithashtu se banorë të Kukësit dhe Tropojës kalojnë kufirin drejt Gjakovës dhe Prizrenit jo për turizëm, por për të blerë ushqime e karburant, si edhe, në disa raste, për të marrë shërbime shëndetësore më të lira ose më cilësore.
Sipas Stafës, protestat në Shqipëri nuk lidhen me koncertin e Kanye West, por me korrupsionin dhe mënyrën e qeverisjes. Ai përmend hetimet e SPAK-ut ndaj ish-ministrave dhe zyrtarëve të lartë, akuzat për korrupsion ndaj kryebashkiakut të Tiranës, si dhe kritikon mazhorancën për mbrojtjen që, sipas tij, i ka bërë Belinda Ballukut.
Në fund të reagimit, Stafa i kërkon Buzhalës të shpjegojë edhe pse, sipas tij, mazhoranca në Shqipëri nuk ka miratuar një rezolutë që do t’i cilësonte krimet e Serbisë në Kosovë si gjenocid.
“Koncerti mbaroi. Dritat u fikën. VIP-at u larguan. Po tani? Pacienti me kancer do të vazhdojë të presë PET-skanerin që mungon. Gruaja me kancer do të vazhdojë të presë brakiterapinë që nuk funksionon. Fermeri do të vazhdojë të shohë tokën e braktisur. Dhe shqiptari do të vazhdojë të protestojë. Sepse hallet e një populli nuk mbulohen me muzikë. Mbulohen vetëm me mirëqeverisje. Shqipëria këtë sot nuk e ka”, përfundon reagimi i gazetarit Osman Stafa.
