Shqipëria ka humbur gati një të katërtën e popullsisë që nga fillimi i viteve 2000, duke shënuar tkurrjen më të fortë mes vendeve europiane.

Sipas të dhënave të Eurostat, më 1 janar 2026 Shqipëria numëronte rreth 2.34 milionë banorë, nga 3.06 milionë në vitin 2000 (Eurostat raporton shifrat e publikuara nga INSTAT).

Në 25 vjet, popullsia e vendit është pakësuar me rreth 721 mijë persona, ose 23.6%. Nga të dhënat rezulton se Shqipëria ka humbur pothuajse një në çdo katër banorë që kishte në fillim të mijëvjeçarit.

Kjo rënie, sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”, është më e larta në Europë. Shteti i dytë me tkurrjen më të lartë është Bullgaria, që pa një reduktim prej 21.6% në të njëjtën periudhë.

Në vend të tretë është Kosova, për të cilën tkurrja është llogaritur nga viti 2003, kur raportohet e dhëna më e hershme. Nga ajo periudhë, popullsia e Kosovës është tkurrur me 19.3%.

Rënie të fortë ka shënuar edhe Lituania, me 17.8%, e ndjekur nga Rumania me 15.2%, Kroacia me 13.8%, Serbia me 13.2% dhe Gjeorgjia me 11.1%.

Në Maqedoninë e Veriut, popullsia është pakësuar me 10%, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë me 9.5%. Hungaria ka humbur 7.2% të popullsisë, Polonia 5%, Armenia 4%, Greqia 3.8% dhe Estonia 2.9%.

Të dhënat tregojnë se pothuajse i gjithë Ballkani Perëndimor ka humbur popullsi, por Shqipëria mbetet në krye të renditjes për nga ritmi i tkurrjes.

Serbia ka humbur rreth një të tetën e banorëve në krahasim me vitin 2000, Kroacia afërsisht 14%, ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut rreth një të dhjetën.

Përjashtimi i vetëm në rajon është Mali i Zi, ku popullsia rezulton 3.3% më e lartë se në vitin 2000.

Rënia e popullsisë, nga emigracioni i lartë dhe plakja graduale e popullsisë

Shqipëria po përballet njëkohësisht me tri goditje demografike: emigracion të lartë, rënie të lindjeve dhe plakje të shpejtë.

Emigracioni është faktori kryesor që po ndikon këtë tendencë. Largimi i vazhdueshëm i të rinjve ka zvogëluar jo vetëm numrin e banorëve, por edhe bazën e popullsisë në moshë riprodhuese. Si rrjedhojë, numri i lindjeve ka rënë me shpejtësi, ndërsa raporti mes të rinjve dhe të moshuarve po përkeqësohet.

Që nga fillimi i viteve 1990, vendi po përjeton cikle të njëpasnjëshme emigracioni, që nuk duket se po ndalen, pavarësisht rritjes ekonomike dhe përmirësimit të të ardhurave.

Sipas të dhënave të fundit të INSTAT për migracionin neto, më shumë se 166.4 mijë shqiptarë rezulton të kenë braktisur vendin gjatë viteve të pas-pandemisë, nga 1 janari 2021 në 2026.

Shqipëria, që për dekada konsiderohej si një nga vendet me popullsinë më të re në Europë, ka arritur tashmë moshën mediane të Bashkimit Europian. Sipas të dhënave të INSTAT, mosha mediane arriti në 45 vjeç më 1 janar 2026, nga 34.2 vjeç në vitin 2014.

Në vitin 2025, lindjet arritën nivelin më të ulët historik të pas tranzicionit, në 22.5 mijë, nga 82 mijë në vitin 1990.

Pasojat nuk kufizohen vetëm te numri i banorëve. Tkurrja e popullsisë ul bazën e konsumit, ngushton ofertën e fuqisë punëtore dhe shton presionin mbi sistemin e pensioneve dhe shërbimet shëndetësore.

Europa rritet, pavarësisht se ka më shumë vdekje se lindje

Ndërsa Shqipëria dhe shumica e vendeve të Europës Lindore po humbin popullsi, Bashkimi Europian vijon ta rrisë numrin e banorëve.

Më 1 janar 2026, popullsia e BE-së arriti në 452 milionë banorë, rreth 706 mijë më shumë se një vit më parë.

Por shtesa e popullsisë nuk po vjen nga lindjet. Që prej vitit 2012, BE-ja ka regjistruar më shumë vdekje se lindje. Bilanci negativ natyror është kompensuar nga emigracioni neto pozitiv.

Emigracioni po krijon dy realitete të ndryshme demografike në Europë. Vendet pritëse po rrisin popullsinë dhe po plotësojnë nevojat e tregut të punës, ndërsa vendet e origjinës po humbin të rinj, profesionistë dhe familje në moshë aktive.

Burimi: Monitor.al

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *