TIRANË – Pedagogu Artan Manushaqe ka bërë të ditur se është larguar nga puna nga Kolegji Universitar i Biznesit më 29 qershor 2026, pas 5 vitesh e 6 muajsh punë në këtë institucion.

Sipas Manushaqes, largimi është bërë me argumentin se ai ka marrë pjesë në aktivitete publike me karakter politik, përfshirë protesta, dhe se kjo, sipas institucionit, ka cenuar paanshmërinë dhe neutralitetin e kolegjit.

Pedagogu i ka kundërshtuar këto pretendime, duke deklaruar se në asnjë moment nuk është paraqitur si përfaqësues i Kolegjit Universitar të Biznesit dhe se pjesëmarrja e tij në protesta ka qenë si qytetar, në emrin e tij personal.

Ai pretendon se vendimi për largimin nga puna është i paligjshëm dhe diskriminues, duke argumentuar se janë shkelur procedurat e Kodit të Punës, si dhe të drejtat kushtetuese për lirinë e shprehjes dhe bindjet personale.

Manushaqe ka deklaruar se do ta ndjekë çështjen në institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare, duke kërkuar mbrojtjen e të drejtave të tij.

“Një pedagog nuk mund të largohet nga puna vetëm sepse shpreh mendimin e tij personal apo merr pjesë në protesta jashtë institucionit, pa e lidhur në asnjë mënyrë universitetin me qëndrimet e tij”, është shprehur ai.

Në reagimin e tij publik, pedagogu u ka bërë thirrje mbështetësve të tij të mos tërhiqen: “Mos u dekurajoni, mos u frikësoni, luftoni se do të fitojmë”.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *