Familja e Martin Canit ka reaguar me një deklaratë publike pas fjalës së kryeministrit Edi Rama në prezantimin e projektit “Smart City”, duke e akuzuar se po e përdor emrin e djalit të tyre për qëllime propagandistike, ndërsa shmang përgjegjësitë e institucioneve që, sipas tyre, dështuan ta mbronin.
Në deklaratë, familja shpreh indinjatën për faktin se, sipas saj, tragjedia e Martinit po shfrytëzohet politikisht, ndërsa nuk ka pasur asnjë reflektim për dështimet e sistemit të sigurisë dhe shëndetësisë.
Familja thekson se mbyllja e TikTok nuk e ka zgjidhur problemin e dhunës mes të miturve, duke kujtuar se pas vrasjes së Martinit kanë ndodhur edhe raste të tjera tragjike në Maliq dhe Durrës. Sipas tyre, shkaku i vërtetë qëndron te mungesa e sigurisë në shkolla dhe dështimi institucional.
Në reagim kundërshtohet edhe ideja e vendosjes së kamerave në shkolla si zgjidhje për sigurinë e nxënësve. Familja Cani argumenton se kamerat nuk parandalojnë dhunën, nuk zëvendësojnë psikologët dhe nuk adresojnë problemet reale të sistemit.
Një tjetër kritikë lidhet me mungesën e kontaktit të kryeministrit me familjen. Ata pyesin pse Rama nuk i ka takuar asnjëherë, nuk ka kërkuar falje për dështimet e institucioneve dhe nuk ka ofruar mbështetje pas ngjarjes.
Familja ngre gjithashtu shqetësimin se në Spitalin e Traumës mungonin kardiokirurgu dhe pajisja zemër-mushkëri, e cila, sipas tyre, mund të kishte shpëtuar jetën e Martinit. Ata kërkojnë që qeveria të investojë në pajisje që shpëtojnë jetë, në vend të projekteve që i konsiderojnë propagandistike.
Në deklaratë kritikohet edhe qëndrimi i kryeministrit ndaj ministreve që, sipas familjes, qeshën në Kuvend kur u përmend emri i Martinit, si dhe mënyra se si u zhvillua hetimi policor, duke përmendur se arma e krimit u gjet nga një qytetar dhe jo nga policia.
Në përfundim, familja Cani i bën thirrje institucioneve të përmbyllin sa më shpejt hetimet për përgjegjësinë e shkollës “Fan Noli” dhe të sistemit shëndetësor, ndërsa përsërit kërkesën për drejtësi për Martinin, përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete për garantimin e sigurisë së fëmijëve në Shqipëri.
