Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla deklaroi se prania e barrikadave të ngritura nga serbët në veriun e vendit nuk mund të tolerohet më gjatë.
Sveçla theksoi se pritja duhet të marrë fund dhe kërkoi nga KFOR-i të veprojë për heqjen e këtyre barrikadave, në të kundërt paralajmëroi se do të jetë vetë policia e Kosovës që do t’i heqë ato bazuar në një plan operacional të mirëmenduar.
“Presim që sa më parë të veprohet nga KFOR-i. U bënë 13 ditë dhe situata mbetet e njëjtë e madje është rënduar. Nëse kjo nuk ndodh, kemi kapacitete për ta bërë vetë.”- u shpreh ai.
Duke folur para mediave në Prishtinë, Seveçla shtoi se tensionet në veri janë ngritur nga intensiteti i propagandës serbe e cila po instrumentalizohet nga Rusia për të krijuar skenarë destabiliteti në Kosovë.
Ai mohoi zërat se Policia e Kosovës ka hartuar lista për serbë që pritet të arrestohen duke i konsideruar shpifje të Beogradit.