Banorët e pallatit nr. 15 në rrugën “Margarita Tutulani” në Tiranë u përplasën me forcat e policisë pasi këto të fundit kërkojnë nxjerrjen e banorëve nga pallati i cili sipas Bashkisë së Tiranës duhet të shembet për shkak të dëmtimit nga tërmeti i vitit 2019-të.
Banorët shprehen të irrituar nga ky vendim dhe rikujtojnë se ka një vendim gjykate që vlerëson se dëmtimi i pallatit nga tërmeti nuk është i asaj përmase sa të çojë deri në shembjen e tij.
Po ashtu, banorët shprehen se nuk dinë se kush është pronari i vërtetë i truallit ku është ngritur pallati dhe se ata po hidhen në rrugë të madhe pasi nuk kanë marrë asnjë informacion se si do të procedohet me strehimin e tyre. Situata paraqitet e tensionuar me banorët që refuzojnë të lirojnë banesat e tyre, ndërsa policia kërkon të ekzekutojë urdhërin për lirimin e godinës. Indinjata e banorëve është shtuar kur këta të fundit deklaruan se mes banorëve të pallatit ka dhe të sëmurë me kancer, ndërsa auto-ambulanca pengohet të lëvizë nga forcat e shumta të policisë.
Pallati në fjalë është ndërtuar në vitin 1941, ndërsa banorët janë strehuar në të gjatë vitit 1980-ë. Në vitin 2013-të, një akt normativ e kaloi atë si pronë shtetërore. Inspektimi i Bashksisë së Tiranës e shpalli si të pabanueshme këtë godinë dhe kërkoi shembjen e saj, ndërsa banorët i referohen një vendimi gjykate që njeh qëndrueshmërinë e godinës duke ngritur pretendimin se e gjithë kjo situatë po ndodh për të grabitur një hapësirë për qëllime korruptive nga individë të lidhur me pushtetin.