Ukraina po feston Krishtlindjet ndryshe nga pjesa tjetër e botës. Një fushatë e re bombardimesh ruse ka nisur mbi të gjithë vendin, ndërkohë që sirenat e alarmit u dëgjuan sërish edhe në natën e Krishtlindjeve me banorët që iu drejtuan strehimoreve, ndërsa më të guximshmit qëndruan në shtëpi për t’u lutur për ditë më të mira për atdheun e tyre.
Krishtlindjet shënuan diten e 305-të të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe viktimat nuk munguan sërish as në këtë kohë kremtimesh e lutjesh për paqe.
64 të vdekur raportohet të jetë bilanci i bombardimeve intensive nga ana e Rusisë në disa rajone të ndryshme të vendit përfshirë Kersonin, Donjetskun dhe kryeqytetin e Kievit. Viktimat raportohen kryesisht në radhët e civilëve, por nuk munguan dhe jetët e humbura nga ekspertët e pastrimit të territorit, ku një prej tyre u vra nga një minë e pashpërthyer në rajonin e Donjetskut.
Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski uroi popullin e tij për Krishtlindje duke u bërë sërish thirrje të qëndrojnë të bashkuar në këto kohë tejet të vështira për Ukrainën. Zelenski vlerësoi sërish ndihmën e dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke theksuar se kjo do t’i shërbejë shumë forcimit të rezistencës ukrainase në terrenin e luftimeve kundër agresorit rus.
Krahas bombardimeve intensive, ukrainasit po ballafaqohen me mungesën e energjisë elektrike në shumë rajone pasi infrastruktura elektrike prej kohësh është shënjestër e raketave ruse.