Barrikadat e ngritura në veri të Kosovës kanë krijuar tensione të larta mes Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që ditën e djeshme presidenti serb, Aleksandër Vuçiç urdhëroi kalimin e ushtrisë serbe në gjendje të lartë gatishmërie.

Mirëpo edhe në Serbi vijon të ketë debate rreth ngritjes së barrikadave në veri të Kosovës ku nuk kanë munguar edhe kritikat ndaj presidentit Vuçiç.

Deputeti i parlamentit serb, Radomir Lazeviç deklaroi se barrikadat janë ngritur për të mbrojtur interesat e bandave kriminale serbe në veri të Kosovës dhe se presidentit Vuçiç nuk i interesojnë jetët e serbëve të thjeshtë atje.

“Situata në Kosovë është e komplikuar falë kriminelëve që kanë lidhje me Beogradin. Si në çdo çështje tjetër, Partia Përparimtare serbe ka hyrë thellë në krim, ndaj Millan Radoiçiç dhe Zvonko Veselinoviç shpërblehen me tenderë për ndërtimin e infrastrukturës, për të shtruar rrugët në Beograd dhe për të rregulluar disa gjëra që janë të nevojshme për Vuçiçin në Kosovë.”- tha Lazoviç.

Kritika për qasjen e Beogradit pati dhe historiani, Milivoje Beshlin, për të cilin barrikadat e serbe në veriun e Kosovës janë shprehje e qartë e interesave ruse që kërkon të hapë një tjetër front lufte në Ballkan krahas atij në Ukrainë.

“Qëllimi i tyre kryesor është të ruajnë gjendjen e konfliktit të ngrirë si një interes rus të klasit të parë, në mënyrë që ky konflikt, me dëshirën e regjimit në Kremlin, të shkrihet dhe fronti ballkanik të hapet si rezervë e nevojshme, front për Putinin.” – theksoi historian serb.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *