I.

Dashuri siberiane

Po bie shi… dhe ti je kaq larg
Po ndoshta dhe s’dua të jem me ty
Ky qiell gri… Në shpirt – kaq akull,
Kaq ftohtë në shpirt. Si në Siberi.

E megjithatë, unë të dua.
Dhe të dua shumë, çuditërisht
Po qe se të urresh është njësoj si të duash,
Të urrej dhe të dua njëkohësisht.
Të urrej për atë, që më prishe qetësinë
Të urrej, pse erdhe tek unë,
Për çdo gjë të vërtetë dhe çdo gjë të dyshimtë
Të urrej dhe të dua kaq shumë.

Dhe në shpirt kam dimër, gjithnjë dimër,
Një ftohtësi pa fund dhe pa anë
Në sa gradë nën zero paske lindur,
Dashuria ime siberiane.
Në të tërë qënien time bie shi
Dhe ti nuk je. Dhe ti je aq larg
Kam dëshirë për ty, kam nevojë për ty
Dhe prapë s’dua të jemi bashkë.

II.

Vetmia

Vetmia është zilja e telefonit
Dhe një zë i huaj që kërkon dikë tjetër
Vetmia është e diela e zbrazët
Me biseda boshe dhe pa diell.

Vetmia është të shikosh pas xhamit
Njerëz që nxitojnë në mbrëmje
Mërzia e gjatë para gjumit
Dhe vapa në netët pa hënë.

Vetmia është të duash shumë
Dhe të mos kesh çfarë të duash
Të mos kesh kujt t’i falësh dy lule
Dy fjalë të mira të mos kesh kujt t’ia thuash.

Të jesh kudo, i tepërt, i huaj
Mik i paftuar në botë, hije
Pa një kujtim që të të bëjë të vuash
Pa një shpresë për atë që do të vijë.

Po ankthi i ditëve të mia pa ty
Ankthi im i përhershëm
Për të gjitha ato që i di dhe s’i di
Kjo është diçka tjetër.

Minutat që ikin ngadalë-ngadalë
Rënduar nga ajo që quhet pritje
Rënduar nga ai që quhet mall
Dhe që nuk llogaritet….

III.

Për ty

Lëkunden pishat nën retë që ikin
Ikin e ikin retë nëpër shi…
Unë pres te shoh pas reve pak qiell
Ashtu siç pres pasditeve, të më telefonosh ti

Po ti s’dukesh gjëkund. Ku paske humbur,
Ka kaq ditë që pres. Dhe bie shi…
Si mund të jetoj, pa pak qiell të kaltër
Si mund të jetoj, pa zërin tënd, pa ty

Ti do të vish, unë e di, do vish patjetër
Po unë dua të vish tani , nëpër shi
Pastaj retë do të ikin dhe do dalë dielli
Po unë dua diellin të ma sjellësh ti

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *