Serbët e Kosovës filluan sot me largimin e barrikadave të para të ngritura prej 19 ditësh. Barrikadat po hiqen pas deklaratave të djeshme të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç për të cilin Serbia arriti një fitore simbolike me lirimin e ish-policit, Dejan Pantiç. Vuçiç po ashtu theksoi se Serbia tregoi se është e gatshme të mbrojë me të gjitha mënyrat serbët e Kosovës, sipas tij të kërcënuar nga Prishtina zyrtare.
Zhvendosja e barrikadave të cilat risollën premisat e një lufte të re mes Kosovës dhe Serbisë tashmë hap rrugën për një tjetër proces dialogu mes të dy vendeve.
Agresiviteti i Vuçiçit u kritikua në vazhdimësi nga autoritet e Kosovës. Presidentja, Vjosa Osmani tha së fundmi se situata e fundit e krijuar në veri të vendit tregoi më qartë së asnjëherë synimet ekspansioniste të Serbisë. Osmani tha se Serbia synon të gllabërojë territor të Kosovës dhe sa më e largët bëhet kjo mundësi, aq më të dhunshme shfaqen metodat e Beogradit.
“Kosova është dhe do të jetë e rrezikuar përderisa Serbia udhëhiqet nga njerëz që akoma vazhdojnë ta kenë mentalitetin e viteve të 90-ta, është një lloj vazhdimësie e mentalitetit të Millosheviqit për fat të keq. Vuçiç, Vulin, Daçiç dhe shumë bashkëpunëtorë të tyre, të cilët edhe kanë punuar me Millosheviçin e fatkeqësisht kurrë nuk e kanë krijuar një lloj ndarje nga ajo e kaluar e hidhur e shtetit të tyre dhe në një farë mënyre po e mbajnë të tërë rajonin nën tension. Në anën tjetër, përtej çështjes së mentalitetit, duhet ta themi shumë qartë sepse e dimë që të gjithë, Serbia ka pretendime të qarta territoriale në raport me Kosovën, ata dëshirojnë të gllabërojnë tokë Kosove dhe sa më larg e shohin këtë synim, aq më të dhunshëm bëhen.”- deklaroi Osmani.
Ndërkohë që një pjesë të barrikadave serbe po u vihet flaka në vend të largimit të tyre. Largimi i barrikadave serbe po vjen pas një takimi që Aleksandër Vuçiç zhvilloi dje me serbët e Kosovës në Rashkë prej nga deklaroi se mbajtësit e barrikadave nuk do të ndiqen penalisht, pavarësisht rezistencës së tyre të dhunshme ndaj autoriteteve në Kosovë.