Kancelari i Austrisë, Karl Nahemer deklaroi se vendi i tij është i gatshëm të shtojë praninë ushtarake në Kosovë nëse kjo kërkohet nga NATO-ja dhe KFOR-i. Kancelari austriak, duke folur në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, theksoi se e përkrah propozimin e Kosovës për më shumë trupa të NATO-s në territorin e saj.
“Ne mbështesim thirrjen e Kosovës për rritje të trupave për siguri më të madhe dhe do të jemi të gatshëm që të ofrojmë trupa mbështetëse nëse KFOR-i na e kërkon këtë gjë, sepse është me rëndësi të dihet që edhe komunitetet e ndryshme pajtohen me praninë e KFOR-it. Pra, jemi plotësisht të bindur dhe të gatshëm që të ofrojmë më shumë trupa nëse kjo kërkohet zyrtarisht nga NATO-ja, nga KFOR-i.”- tha Nahemer.
Kancelari ausrtriak kujtoi se vendi i tij ka përfaqësimin më të lartë ushtarak në Kosovë nga shtetet që nuk janë pjesë e NATO-s. Aktualisht në Kosovë shërbejnë 232 ushtarë austriakë.