Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë gjatë periudhës së luftës, Uilliam Uoker ka rrëfyer se serbët kishin tentuar eliminimin e tij fizik, vetëm një ditë para masakrës së Reçakut. Sipas ambasadorit, një polic serb kishte tentuar një sulm me granatë në drejtim të tij, por agresori ishte ndaluar nga truprojat e tij, shqiptarë të Kosovës. Uoker theksoi se kishte kërkuar hetime për ngjarjen, por përgjigjet që kishte marrë nga autoritetet serbe kishin qënë qesharake.

“Një ditë para masakrës së Reçakut, ne patëm një incident në rrugë. Truprojat e mi të sigurisë, të gjithë të rinj kosovarë menduan se panë një nga këta policët serbë të vinte drejt meje me granatë dore, unë nuk pashë një granatë dore, por më futën në një makinë të blinduar dhe më çuan në zyrë. Unë insistova të kthehesha në rrugë këtu ku ishte banesa ime dhe fola me disa policë serbë dhe ata nuk dolën me përgjigje për atë se çfarë kishte ndodhur. Sipas Millosheviqit, siguria ime ishte përgjegjësi e qeverisë së Serbisë dhe unë thashë që një nga policët tuaj mendohet se më ka ardhur me një granatë dore dhe nuk e di nëse është e vërtetë, por kur u përpoqa të hetoja dhe të zbuloja se çfarë kishte ndodhur, mora përgjigje qesharake.”- ka rrëfyer Uilliam Uoker për Kosova Press.

Uoker po qëndron në Kosovë ku do të marrë pjesë në përkujtimin e masakrës së Reçakut e cila ndodhi 15 janarin e 1999-ës, ndërsa vet ambasadori ishte dokumentuesi i parë i saj duke i shpalosur botës krimet makabre të forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *