Nga Janusz Bugajski
Aktualisht jemi dëshmitarë të shpalosjes së një revolucioni në sigurinë globale, për të cilin politikëbërësit perëndimorë janë ashiqare të papërgatitur – kolapsi i afërt i Federatës Ruse.
Sidoqoftë, në vend se të bëjnë plane për mundësitë e ardhshme për ndikim te palët e treta dhe të përfitojnë nga de-imperializimi i Rusisë, zyrtarët perëndimorë duket se kanë ngecur në një epokë të shkuar, duke besuar se mund të kthehen në status kuonë e pas-Luftës së Ftohtë, me disa që madje ia ofrojnë Moskës dorëzaninë e sigurisë për ta mbajtur vendit të paprekur.
Por, Rusia është shtet i dështuar. Nuk ka qenë në gjendje të transformohet në një shtet-komb, në një shtet qytetar apo edhe në një shtet të qëndrueshëm perandorak. Është federatë vetëm nga emri, pasi qeveria qendrore e ndjek politikën e homogjenizimit etnik dhe gjuhësor dhe e mohon çdo pushtet për 83 republikat dhe rajonet e vendit. Megjithatë, hipercentralizimi ka ekspozuar dobësitë e shumta të vendit, duke përfshirë ekonominë në rënie që po tkurret nga sanksionet ndërkombëtare, nga humbjet ushtarake në Ukrainë që zbulojnë paaftësinë dhe korrupsionin e elitës së saj në pushtet, dhe nga brengat e shumë rajoneve për buxhetet e tyre të zvogëluara.
Moska më në fund po shfaqet si qendër e dhunshme perandorake që shteron kapacitetet e veta për ta mbajtur vendin të bashkuar. Megjithatë, shumica e liderëve perëndimorë ende nuk arrijnë t’i shohin përfitimet nga shpërbërja së Rusisë.
Thyerja e Federatës Ruse do të jetë faza e tretë e kolapsit perandorak – pas shpërbërjes së bllokut sovjetik dhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve 1990. Ajo nxitet nga betejat e elitës për pushtet dhe nga rivalitetet intensifikuara midis qeverisë qendrore dhe rajoneve të pakënaqura, të cilat në disa pjesë të vendit mund të kalojnë në luftëra civile dhe në mosmarrëveshje kufitare. Megjithatë, kjo do të inkurajojë gjithashtu shfaqjen e shteteve të reja dhe të federatave ndër-rajonale të cilat do t’i kontrollojnë burimet e veta dhe nuk do t’i dërgojnë më njerëzit që të vdesin për perandorinë e Moskës.
Teksa Moska po mbyllet nga brenda, kapaciteti i saj për agresion të jashtëm do të zvogëlohet. Dhe, si shtet me të meta, nën sanksione të ashpra ndërkombëtare dhe e mënjanuar nga baza e burimeve në Siberi, do të ketë aftësi shumë të reduktuara për t’i sulmuar fqinjët. Nga Arktiku në Detin e Zi, fronti lindor i NATO-s do të bëhet më i sigurt; ndërsa Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia do t’i rifitojnë territoret e pushtuara dhe do të bëjnë peticion për integrimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO, pa pasur frikë nga reagimi i Rusisë.
Vendet në Azinë Qendrore gjithashtu do të ndihen gjithnjë e më të çliruara dhe do të jenë në gjendje t’i drejtohen Perëndimit për energji, siguri dhe lidhje ekonomike. Kina do të jetë në një pozicion më të dobët për të zgjeruar ndikimin e vet pasi nuk mund të bashkëpunojë më me Moskën dhe me shtetet e reja properëndimore që mund të dalin nga përbërja e Federatës ruse, duke rritur kështu stabilitetin në disa rajone të Evropës dhe të Evro-Azisë.
Megjithëse armët bërthamore do të mbesin si kërcënim i mundshëm, liderët e Rusisë nuk do të kryejnë vetëvrasje kombëtare duke i hedhur ato kundër Perëndimit. Në vend të kësaj, do të përpiqen ta shpëtojnë të ardhmen politike dhe pasuritë ekonomike – siç bëri elita sovjetike. Dhe, edhe nëse disa shtete në zhvillim i marrin armët e tilla, nuk do të kenë asnjë arsye për t’i vendosur ato teksa kërkojnë njohje dhe ndihmë ekonomike ndërkombëtare. Shtetet post-ruse ka të ngjarë ta ndjekin çarmatimin bërthamor – njësoj si Ukraina, Bjellorusia dhe Kazakistani pas rënies sovjetike.
Është i rrejshëm koncepti se liderët perëndimorë vetëm se do ta ndihmojnë presidentin Vladimir Putin nëse ata flasin për kolapsin e Rusisë. Pavarësisht politikës aktuale, Kremlini pretendon se Perëndimi dëshiron të shkatërrojë Rusinë, ndërsa mohimet nga Uashingtoni dhe Brukseli thjeshtë po i nxisin komplotet e Kremlinit.
Përkundrazi, qasja shumë më efektive do të ishte të specifikohej qartë se çfarë po mbështet Perëndimi. Mbështetja e hapur e pluralizmit, demokracisë, federalizmit, të drejtave civile dhe autonomisë së republikave dhe rajoneve të saj, mund të ndihmojë në inkurajimin e qytetarëve të Rusisë për të dëshmuar se nuk janë globalisht të izoluar. Ata gjithashtu do të kenë nevojë për qasje në informacionin që Moska e ndalon, veçanërisht kur bëhet fjalë për sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin e marrëdhënieve paqësore dhe të dobishme me fqinjët.
Pas tmerreve të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe pas arsyetimeve që liderët dhe këshilltarët e qeverisë së vendit kanë dhënë për gjenocidin, është krejt e rrejshme shpresa e zyrtarëve perëndimorë se mund të vendosen marrëdhëniet e dobishme me një Kremlin post-Putin, ose se liberalët mund ta demokratizojnë perandorinë.
Perëndimi ka bërë gabim të rëndë kur supozoi se rënia e komunizmit sovjetik nënkuptonte fundin e imperializmit rus. Dhe, derisa shtetet perandorake gjithmonë futen në kolaps kur ato e kalojnë limitin dhe kur presionet centrifugale nxiten nga shqetësimet ekonomike, nga pakënaqësitë rajonale dhe nga ringjalljet kombëtare, këtë herë duhet të shmanget përsëritja e gabimit të sipërpërmendur – duke supozuar gabimisht se perandoria aktuale është e përhershme.
Burimi: Politico.eu
Përktheu: Telegrafi