Një nga programuesit e njohur të IT-së në vendin tonë, Gent Progni, ka depozituar në SPAK një padi ndaj Agjensisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSH) me akuzën e mosveprimeve të parashikuara nga detyrimet ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale.
Progni theksoi se AKSH-i me veprimet dhe mosveprimet e tij ka lehtësuar procesin e hakerimit nga iranianët duke e bërë gjithçka të thjeshtë për ta.
“Sot erdha për të bërë një kallëzim për AKSH-in, të cilët me veprimet ose mosveprimet e tyre kanë bërë të mundur që të gjitha të dhënat tona të jenë të rrezikuara. Kallëzimin e kam bërë si individ, por i mbështetur edhe nga forumi që ende nuk ka marrë një formë ligjore, Rizgjim Kombëtar, ku deri tani jemi 800 programues IT që e kemi parë të drejtë ta bëjmë këtë kallëzim.
Ne kemi kapur vetëm një pikë, ky nuk do të jetë kallëzimi i vetëm. Pika që kemi kapur ne që është dhe publike dhe s’ka nevojë për ekspertizë, është mosrespektimi i kushteve dhe standardeve, ndarja e serverëve nga një layer virtual në një layer virtual, dhe kjo është e vërtetuar nga videoja e hakerave e publikuar në Telegram, ku tregohet qartë që këto servera nuk kanë qenë të segreguara.
Kjo tregon se kanë ndihmuar në hakërimin e të dhënave, pra kalimi nga një server në të gjitha serverat që hostohen nga AKSH-i. Me dashje apo pa dashje nuk jemi në pozitën ta themi sepse kemi një terr shumë të madh informacioni, por kjo vërtetohet nga videoja e hakerave iranianë.
Ne kemi hedhur dyshimin që ky segregim nuk është bërë me qëllim që në kohën e patronazhistëve, sepse lejon mbledhjen e të dhënave nga shumë serverave në mënyrë lokale. Këtë segregim nuk mund ta bëjnë iranianët në mënyrë virtuale, sepse duhet prekje fizike e serverave që të mos bëhet ky segregim.”- u tha Progni gazetarëve.