Emisari amerikan për Ballkanin, Gabriel Eskobar, në një intervistë të dhënë për seksionin e Zërit të Amerikës në gjuhën serbe, ka shigjetuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti si pengesë për formimin e Asosacionit të komunave me shumicë serbe.
Eskobar ishte sërish i drejtpërdrejtë në kërkesën për formimin e këtij Asosacioni, i cili së bashku me planin franko-gjerman shihen si dy projektet më efikase për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Zëri i Amerikës: Ju keni qenë shumë të vendosur kur keni folur për detyrimin e zotit (Albin) Kurti për të zbatuar marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Por edhe ai është i vendosur se nuk do ta zbatojë. Si mendoni se do të funksionojë kjo?
Gabriel Eskobar: Shikoni, një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar. Ky është fakt. Ne do ta bëjmë këtë dhe unë do ta bëj këtë duke gjetur partnerë dhe ka shumë partnerë, ka shumë njerëz që duan të shohin marrëdhënie më të mira të serbëve në veri dhe pjesës tjetër të vendit. Ne do të fillojmë këtë muaj të flasim me njerëzit që kanë ide shumë të mira dhe ne në fakt flasim për madhësinë e klasave në shkolla, mbledhjen e mbeturinave, apo shërbimet e ndihmës mjekësore, asgjë frikësuese. Ne flasim se si ta bëjmë veriun e Kosovës më funksional dhe më të lidhur me qeverinë në Prishtinë. Ne do ta bëjmë këtë. Çështja është se në ç’pikë Kosova do ta ketë të qartë se bashkësia ndërkombëtare e pret që ta bëjë këtë, kërkon që ta bëjë këtë.” – u shpreh zyrtari amerikan.