I.

Shumë të kam dashur, por…

Në Selanik anijet mbërrijnë,
në port unë mbeta far i gjallë.
Pashë mijëra njerëz, ndoshta miliona,
veç ty ama, kërkund s’të pashë.

Në Selanik avionët mbërrijnë,
në pistë unë pija lotin tim.
Pashë mijëra njerëz, ndoshta miliona,
veç ty s’të gjeta n’udhëkalim.

Atëherë u mbylla në vetvete
me shumë whisky e n’akull pak.
Në darkë i dehur po mendoja:
Shumë të kam dashur, por s’është gjithçka

II.

Të dashuruar

Atëherë ditët qenë të bukura
dhe mbanin erë jargavan.
Në muzg t’i shfaqeshe e brishtë
me hënën flokëve -karficë e bardhë.

Dhe parqeve të qetë gjer vonë
ne putheshim. Dhe prapë.
Në gjoksin tim kokë e verdhë
në rrugë ëndrash galop kish marrë.

Tani janë larg parqet e blertë,
të heshtur pimë kafe në klub.
Po mbrëmjet prapë jargavan janë
dhe kokën tënde e ndjej në sup.

Mos u trishto, e shtrenjta ime!
Ne prapë duhemi dhe heshtja sot
që ne jemi të pavdekshëm
dhe përjetsisht të bukur thotë.

Atëhere mbrëmjet qenë të bukura
dhe mbanin erë jargavan.
Po shih! përmbi tryezë t’u ul
në flokë hëna-karficë e bardhë…

III.

Kur e di se do të vdesësh

Kur e di se do të vdesësh,
pemët kanë më shumë lule dhe më
shumë yje qielli ka.

Më të mirë dhe më të çuditshëm
janë njerëzit,
që nuk e kuptojnë se hija e trupit
të tyre është vetë vdekja.

Kur e di se do të vdesësh,
toka është pjellore si grua
dhe qielli ta shuan përjetësisht
etjen me shirat e tij
dhe avionët nuk fluturojnë për t’u
rrëzuar
dhe njerëzit nuk lindin për t’u bërë
nesër të ligj.

Më mirë ta dish se do të vdesësh!

Lulet lule do të jenë dhe nuk do të
kundërmojnë më trishtim
dhe njerëzit do kthehen më shpesh
te distributori i harruar
të furnizohen falas me besim…

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *