Nga Agim Morina
Qe edhe deklarata e Miroslav “Ndërmjetësit” mbas takimit me Vučićin:
“Lajčáku pas takimit me Vučićin: Themelimi i Asociacionit – element kyç për stabilitet.”
E pohova në postimin paraprak: “Le të shohim a po e thotë [Lajčáku] të njëjtën gja edhe kur të takohet me Vučićin.” Ironikisht, aj e tha fjalë për fjalë të njëjtën gja, megjithëse unë mendova se aj do të duhej “me thanë të njëjtën gja” si kundërpeshë për atë që pohoi në takim me Kurtin. Fjala vjen, me thanë: “Njohja e pavarësisë së Kosovës – element kyç për stabilitet.”
Pra, takimi me Kurtin “i vështirë”. Me Vučićin? I kandshëm, sepse “themelimi i asociacionit – element kyç për stabilitet”. Pse me u anku Vučići? Pse me qenë i vështirë muhabeti me Vučićin? Pos nëse Vučići i kcen mbi shpinë dhe e detyron Lajčákun me e bartë kalthi deri në Kalemegdan.
Me pasë pohu në takimin me Kurtin që “Njohja e pavarësisë së Kosovës – element kyç për stabilitet”, Miroslavi as që do të duhej me ardhë në Kosovë. Por një ndërmjetës do të duhej me ba bash këtë. Aq ma shumë një “europian”. Edhe ma shumë një që vjen nga një vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, për me dëshmu që po përfaqëson BE-në e jo Sllovakinë.
Problemi asht që Miroslavi në Prishtinë po kërkon themelimin e asociacionit ndërsa në Beograd po thotë se “themelimi i asociacionit – element kyç për stabilitet”. Kjo don me thanë që njohja e pavarësisë së Kosovës nuk asht “element kyç për stabilitet”. Mbaruem prej vlerash pansllaviste europiane.