Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla dënoi sulmin ndaj një patrulle të policisë së Kosovës në Leposaviq.
Sipas Sveçlës, makina e policisë së Kosovës është goditur qëllimisht nga automjeti i drejtuar nga dy serbë në përpjekje për të shmangur kontrollin policor. Ky episod ka rrezikuar jetën e efektivëve të cilët janë detyruar të hapin zjarr në drejtim të mjetit.
Sveçla shkroi në Tuiterin e tij se ka nisur një hetim i hollësishëm për ngjarjen dhe se dhuna ndaj policisë nuk do të tolerohet.
“Thellësisht i shqetësuar për incidentin e fundit në Leposaviq. Dy persona me një veturë, tentuan të iknin nga kontrolli policor. Ata goditën qëllimisht veturën e Policisë së Kosovës dhe vunë në rrezik jetët e zyrtarëve policorë. Zyrtarët e Policisë së Kosovës janë detyruar të përdorin zjarr në drejtim të veturës për të neutralizuar situatën. Një hetim ka nisur dhe Inspektorati Policor i Kosovës është i përfshirë në mënyrë aktive. Dua të qartësojë: asnjë formë dhune kundër policëve tanë nuk do të tolerohet. Mbrojtja e qytetarëve dhe sundimi i ligjit është prioritet i yni.” – shkroi Sveçla.
Mediat në Beograd thonë se një nga serbët e përfshirë në këtë ngjarje ka mbetur i plagosur, por nuk jepen detaje mbi identitetin e personit në fjalë.