Mediat ndërkombëtare po i kushtojnë gjithnjë dhe më shumë vëmendje destinacioneve turistike të alpeve shqiptare.
Prestigjozja franceze “Le Monde” ofroi një reportazh për Luginën e Valbonës dhe Thethin. Në artikull evidentohet numri i lartë i vizitorëve në Valbonë të cilët vijnë nga SHBA-të deri në Indi.
Po ashtu, artikulli evidenton se këto destinacione turistike ofrojnë shtigje të pashkelura për turistët dhe çmime mjaft të lira.
“Të kujton më shumë Pirenejtë. Pikërisht me këtë emër njihet ky masiv gëlqeror i Shqipërisë. Një parajsë e vogël e gjelbër për alpinistët që kërkojnë shtigje që nuk janë as shumë të rrahura dhe as shumë të shtrenjta. Lugina e Valbonës, një park kombëtar 8,000 hektarësh, është më i vizituari nga këto rajone. Alpinistët vijnë nga të gjitha anët: shumë evropianë, por edhe indianë dhe amerikanë.”– thuhet ndër të tjera në artikull.
Valbona dhe Thethi prej vitesh janë në fokusin e mediave të mëdha ndërkombëtare. Para pak vitesh, Lugina alpinë e Valbonës në Malësinë e Gjakovës u rendit ndër nëntë destinacionet e rekomanduara të turizmit malor nga revista e njohur “National Geographic”.
“Le Monde” thekson se sfida e Shqipërisë është shndërrimi në destinacion turistik duke ndjekur modelin e vendeve si Kroacia që një pjesë të mirë të zhvillimit ekonomik e ka mbështetur pikërisht në këtë sektor.