Nga Agim Morina
Kur po e mendoj ma mirë, ideja e asociacionit nuk po duket edhe aq e keqe. Si duket, serbët janë prapë para nesh me idetë e tyne. Me ba asociacion po del ma mirë. D.m.th nëse ndërkombëtarët kambëngulin: o asociacion, o s’ka tjetër, atëherë edhe shqiptarët në Kosovë duhen me mendu me ndërtu ma mirë një asociacion të komunave me shumicë shqiptare. Kjo puna e republikës doli pa bereqet, si me qenë konservë lidhë për bisht qeni, veç sa me ba zhurmë. Emnin e madh, por punët kurrqysh. Në republikë po na thonë se duhemi me pasë ‘qytetarë’, sepse lidhja me përkatësinë kombëtare paska dalë prej mode, qenka e prapambetun. Mirëpo, te asociacioni, përkatësia kombëtare po lun rol parësor.
Te asociacioni i komunave me shumicë serbe gjithçka asht serbe: kryetari i komunës, gjyqtarët, komandanti i policisë, drejtorët e shkollave, të spitaleve etj. Që të gjithë duhen me qenë serbë. Pse? Sepse shumica aty janë serbë! Masandej, parashikohen lidhje speciale me Serbinë, sepse Serbia, për çudi, asht serbe.
Tashti, me republikën e shpallun ne, tanë kohën, po dojnë me na bindë se na qenkëshim “kosovarë” e nuk jemi “shqiptarë”. D.m.th serbët në Kosovë duhen me qenë e me mbetë me çdo kusht serbë, turqit – turq, boshnjakët – boshnjakë, romët – romë. Veç shqiptarët s’po baka me mbetë shqiptarë, por veç kosovarë! Eu!
Nëse e formojmë asociacionin e komunave me shumicë shqiptare na automatikisht i kemi kryetarët shqiptarë, komandantët shqiptarë të policisë, gjykatësit shqiptarë, drejtorët shqiptarë etj. Ata të tjerët mbeten me gishta në gojë. Dhe, kemi të drejtë me kriju lidhje speciale me Shqipninë.
Qe, pse po asociacionit, pra!