Një person në Fushë-Kosovë plagosi nënë e bijë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Autori u largua nga vendngjarja për t’u ndjekur më pas nga policia, ku gjatë kësaj ndjekje humbi dhe jetën.
Policia e Kosovës shpërndau një komunikatë për ngjarjen, por ajo nuk shpjegon nëse i vdekuri u vetëvra apo u qëllua nga policia e Kosovës për vetëmbrojte.
“I dyshuari në përpjekje për t’iu shmangur arrestit policor në rrugën ‘Fehmi Lladrovci’ në Fushë-Kosovë, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë, duke bërë kështu që policia t’i ndërmarrë të gjitha veprimet policore në përputhje me autorizimet e tyre. Ndërkohë që sulmi ndaj policisë është neutralizuar, i dyshuari në përpjekje e sipër për t’iu shmangur arrestit policor, në rrethana që aktualisht po trajtohen ka marrë plagë nga shkrepja e armës së zjarrit.”- thuhet në komunikatë.
Sakaq, nënë e bijë që mbetën të plagosura ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtim mjekësor në QKUK.