Në Kosovë nis viti i ri shkollor pas vendimit të Sindikatës së Arsimit për përfundimin e grevës një mujore. Ky vendim vjen në kohën kur tensionet mes sindikalistëve dhe qeverisë së Kosovës ishin kryefjalë e një muaji me takime të shpeshta dhe negociata të dëshhtuara mes dy palëve. Drejtuesit e grevës së fundmi vendosën të tërhiqen nga kërkesa e tyre për ndihmë prej 100 eurosh nga ana e qeverisë për përballimin e rritjes së çmimeve dhe kostos së jetesës në këtë periudhë krize. Zgjidhje e mesme pritet të jetë ndihma prej 50 eurosh përcaktuar në paketën e re ndihmëse nga ana e qeverisë Kurti, ndërkohë që në ligjin e ri për pagat që pritet të miratohet së shpejti, parashihet rritje e pagave në të gjithë sektorin e arsimit në vend. Kjo zgjidhje doli të jetë më e pranueshmja për të dy palët në kushtet kur duhej zgjidhur një ngërç institucional pasojat e të cilit po i paguanin vetë nxënësit prej një muaji pa mësim.

Vendimi për përfundimin e grevës u mor pas një proçesi votimi “një anëtar, një votë” ku anëtarësia e sindikatës në shumicë u shpreh në favor të mbylljes së grevës. Megjithatë, paqja e arritur mund të jetë e përkohshme pasi kreu i sindikalistëve të Kosovës, Rrahman Jasharaj, u shpreh se qeveria duhet të ekzekutojë pagën e prapambetur për arsimtarët pjesëmarrës në grevë ose përndryshe greva mund të rifillojë dhe situata mund të përkeqësohet edhe më shumë. Jasharaj la datën 5 tetor si afatin e fundit për qeverinë dhe nëse deri në këtë date nuk veprohet, jeta arsimore në Kosovë mund të paralizohet sërish. “Ne do të presim deri në datën 5 tetor kur është dhe afati i fundit ligjor për ekzekutimin e pagave në sektorin civil nga ana e qeverisë. Ligjërisht askush nuk ka të drejtën e ndalimit të pagave për mësuesit. Nëse deri në këtë datë nuk do të ketë reflektim, situata do të jetë edhe më e keqe nga sa ishte. Ne nuk do të tërhiqemi nga e drejta jonë ligjore” – deklaroi Jasharaj për mediat në Kosovë. Nga ana e saj, qeveria e Kosovës ka refuzuar të paguajë mësuesit pjesëmarrës në grevë me argumentin se kush nuk ka punuar nuk mund të paguhet. Paqja mes qeverisë dhe sindikalistëve duket e përkohhme dhe mbetet të shihet nëse palët do të mbeten të palëkundura në qëndrimet e tyre respektive.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *