Një grup i forcave të kërkim-shpëtimit nga Kosova arritën të shpëtojnë jetën e një vogëlushi 2-vjeçar i cili u nxor i gjallë nga rrënojat e një ndërtese në Hatay të Turqisë, një nga zonat më të goditura nga tërmeti.
Në një video të shpërndare në rrjetet sociale shihen efektivët e Forcës së Sigurisë të Kosovës teksa nxjerrin fëmijën nga rrënojat dhe më pas i rikthehen punës për të nxjerrë nga rrënojat dhe nënën e fëmijës.
Në një njoftim për media, FSK-ja thekson se janë të fokusuar në kërkimin e të mbijetuarve që ende besohet të jenë gjallë nën rrënoja.
“Ekipet e Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës që nga mëngjesi janë duke operuar me kapacitete të plota në Hatay të Turqisë, në orët e mbrëmjes kanë arritur të nxjerrin një fëmijë të moshës dy vjeçare, dhe janë duke bërë përpjekjet maksimale për të shpëtuar edhe nënën e saj që është e ngujuar në rrënoja.
Ekipet tona gjatë operacionit që janë duke realizuar kanë hasur në viktima në objektet e kolapsuara, por prioritet është duke iu dhënë atyre vendeve ku janë detektuar persona të gjallë, dhe të gjitha ekipet e shpëtimit nga mbarë bota kanë dhënë prioritet për të shpëtuar sa më shumë jetë.”- thuhet në njoftimin e FSK-së.