Ish-kryeprokurori i Shqipërisë, Adriatik Llalla ka marrë statusin e azilantit politik në Itali. Lajmin e konfirmoi avokati i Llallës, Sokol Hazizaj.
Llalla ishte i dënuar në mungesë me dy vite burg nga drejtësia shqiptare me akuzën e fshehjes dhe mosdeklarimit të të ardhurave. Para shpalljes së vendimit të formës së prerë, Llalla u arratis drejt Italisë. Prokuroria e Posaçme lëshoi një urdhër-arrest ndaj tij dhe Llalla u arrestua në Romë në nëntorin e 2021-shit.
Ish-Kryeprokurori kërkoi azil politik në Itali me pretendimin se dënimi i tij në Shqipëri ishte i motivuar politikisht. Dhënia e azilit për Adriatik Llallën nga shteti italian pamundëson ektradimin e tij në Shqipëri.
Sokol Hazizaj, avokati i Llallës, më parë ka kërkuar pezullimin e dënimit për klientin e tij me pretendimin se ai vuan nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme.