Gjykata Administrative e Tiranës shpalli si të paligjshme lejet e lëshuara nga autoritetet lokale dhe ato qendrore për ndërtimin e dy Hec-eve në Fan të Mirditës.
Vendimi u shpall nga gjyqtari Gentian Hamiti pas një sage të gjatë disavjeçare beteje ligjore mes banorëve të zonës dhe ndërtuesve.
Banorët e fshatrave Thirrë, Hebe dhe Sang, pas protestave të shumta vendosën të ndjekin rrugën ligjore duke akuzuar ndëtuesit e Hec-eve se po shkatërrornin tre burimet kryesore të ujit në këto zona bashkë me ekosistemin.
Pavarësisht rezistencës së banorëve, deri tani janë kryer 50% e punimeve, ndërkohë që vendimi i Gykatës Administrative përligj argumentet dhe qëndresën disavjeçare të banorëve kundër këtyre Hec-eve.
Lejet përkatëse për ndërtimin e dy Hec-eve janë lëshuar në muajtn janar të 2018-ës dhe pas shqyrtimit të dokumentacionit, Gjykata Administrative kontatoi se ishin kryer disa shkelje ligjore duke konkluduar në paligjshmërinë e procesit ligjor që parapriu punën për ndërtimin e Hec-eve në Fan të Mirditës.