Vijon të jetë e pazbardhur vrasja e Xhoi Aoko, vajzës nga Kenia e cila ndërroi jetë në atdheun e saj pasi u dhunua në rrethana ende të pasqaruara në Shqipëri.
Policia shqiptare së fundmi shoqëroi si të dyshuar për ngjarjen shoferin e një kazinoje në Tiranë.
Për gazetarin Klodian Tomori ka një neglizhencë të hapur nga organet kompetente të cilat sipas tij janë angazhuar për moszbardhjen e rastit.
“Që Shqipëria ka qeveri dhe shtet të korruptuar, këtë e dinë të gjithë. Dhe njerëzit kanë bërë paqe me këtë punë, nuk u bën më përshtypje. P.sh lajmet e vjedhjeve flagrante janë lajmet që bëjnë më pak zhurmë sot në publik. Por që vritet njeriu, të mos e hetojë askush dhe madje të angazhohet gjithë shteti për të mbajtur ngjarjen fshehur, ky është fundi i fundeve. Këta nuk paskan din e iman.
Po mirë, shpirt nuk kanë, por jam kurioz për një gjë. Këtyre policëve, prokurorëve apo politikanëve që kanë gisht tek kjo fshehja e ngjarjes së vajzës nga Kenia nuk u shkon ndonjëherë në mend; po sikur të gjithë policët, prokurorët dhe politikanët e botës të ishin si këta?
Po sikur të njëjtën gjë t’ua bënin fëmijëve, motrave apo vëllezërve të tyre që i kanë jashtë?”- shkruan gazetari Tomori.