Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi që vula e Partisë Demokratike t’i mbetet grupimit të udhëhequr nga Enkelejd Alibeaj, ndërkohë që çështja në tërësi do të nisë rigjykimin nga Gjykata e Shkalla së Parë me një tjetër trup gjykues.
Ky vendim i heq Sali Berishës dhe Grupit të Rithemelimit të drejtën për t’u regjistruar me logon e PD-së në zgjedhjet lokale të 14 majit.
“Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore znj. Elona Mihali dhe anëtarë z.Astrit Kalaja dhe znj. Irida Kacerja, me unanimitet, me vendimin nr. 44, datë 03.03.2023, vendosi:
Mospranimin e ankimit të ankuesit Partia Demokratike të Shqipërisë përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, të ushtruar ndaj vendimit nr. 508 rregj them, datë vendimi 22.04.2022 me objekt “Disponim ankimi” të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si vendim ndaj të cilit nuk lejohet ankim.
Prishjen e vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe dergimin e çështjes për rigjykim pranë asaj gjykate me tjetër trup gjykues.
Kundër këtij vendimi lejohet rekurs i veçantë në Gjykatën e Lartë brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit të arsyetuar.” – thuhet në vedimin e Apelit.