Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç deklaroi se do të nisë një tur takimesh në Serbi për paraqitjen e një platforme të re politike të cilën ai e quan si dialog me serbët për mbrojtjen e Serbisë.
Vuçiç theksoi se pjesë e turit të tij politik do të jetë dhe Kosova duke u shprehur se shpresonte që t’i lejohej një vizitë atje për të dialoguar me serbët.
“Kësaj radhe do të mundohem t’i vizitoj të gjitha 25 rajonet deri në fund të vitit. Shpresoj se do të mund të shkoj edhe në Kosovë. Do të flasim me njerëz në disa vende, jam veçanërisht i lumtur që do të shkoj në Bosilegrad si president i Serbisë.” – tha Vuçiç në mbledhjen e kryesisë së Partisë Përparimtare Serbe.
Aleksandër Vuçiç po përballet me një presion të fortë ndërkombëtar për arritjen e një marrëveshje me Kosovën që do të mundësonte normalizimin e raporteve mes dy shteteve.
Prej më shumë se një dekade në pushtet, ai duket se po e shfrytëzon këtë situatë për ofrimin e një platforme të re politike për serbët më qëllim konfirmimin e tij si figura dominuese e skenës politike serbe.