Ukraina po planifikon një kundërofensivë ushtarake ndaj forcave ruse pas dy muajsh. Këtë e konfirmoi, Mikailo Podoliak, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodimir Zelenski.
“Nuk jemi me nxitim, do të riorganizohemi gjatë dy muajve të ardhshëm. Ne do t’i lodhim rusët në Bakhmut dhe do të fokusohemi diku tjetër.”,-tha Podoliak.
Qyteti i Bakhmutit, prej shtatë muajsh është kthyer në arenë të ashpër luftimesh, ndërkohë që rusët po tentojnë me çdo mënyrë të marrin qytetin për të pasur të paktën një fitore simbolike.
Podoliak sqaroi se rezistenca e gjatë në Bakhmut ka qenë e mirëmenduar nga krerët e ushtrisë ukrainase në konsultim me presidentin Zelenski. Podoliak e shpjegoi mbrojten e Bakhmutit si strategji për të lodhur rusët.
Që nga nisja e luftës 24 shkurtin e vitit të kaluar, Khersoni është i vetmi qytet që Rusia arriti të pushtojë, por dhe atë për pak kohë, pasi ukrainasit e rimorën sërish pas një kundërofensive.
Ekspertët ushtarakë thonë se Bakhmuti nuk paraqet rëndësi strategjike për Ukrainën, por mbrojtja e tij po dërgon një mesazh të qartë për rusët në rast se ata tentojnë të sulmojnë sërish kryeqendrat e mëdha në Ukrainë.