Nga Daut Dauti
‘Foaming at the mouth’ është shprehja që një tabloid britanik e ka përdorur për qeverinë britanike me rastin e Linekerit. Edhe në shqip ekziston kjo shprehje:’Me qitë shkumë prej goje’. Kjo dmth me shprehë hidhërim të madh. Pra, qeveria konzervative britanike po qet shkumë prej goje kundër Gary Linekerit. Kjo është për shkak se Lineker me të drejtë ka thënë se shtetet tjera evropiane pranojnë numër shumë më të madh të refugjatëve se Britania e Madhe dhe se vokabulari i qeverisë britanike është i ngjashëm me atë të Gjermanisë së viteve të ’30-ta. Pra, të kohës së Hitlerit. Këtë Lineker e ka thënë me rastin e propozimit të një ligji të ri për ta rregulluar çështjen e emigracionit, i cili ligj në fakt po cilësohet si i paligjshëm dhe i pamoralshëm.
Qeveria i ka bërë presion BBC që Lineker të kërkoj falje. Lineker nuk ka pranuar dhe është suspenduar nga puna. Problemi u bë i madh për shkak se askush nga kolegët, në shenjë solidarizimi, nuk dëshiron ta zëvëndësojë Linekerin. Çështja është bërë serioze për shkak se Gary Lineker në Britani ka autoritet dhe ndikim të madh.
Linekeri nuk është punëtor i BBC, por është njeriu që paguhet më së shumti në këtë korporatë gjigante mediale. Ai, në baza ‘free lance’ e udhëheqë emsionin e popullarizuar për futboll MOTD (Match of the day), dhe për këtë paguhet £ 1. 35 milionë apo rreth 1. 6 milionë euro për një vit. Por, ai, duke refuzuar të kërkoj falje, ka dëshmuar se e çmon dinjitetin më shumë se paratë. Njësoj janë duke vepruar edhe kolegët e tij dhe gazetarët tjerë të sportit që po solidarizohen me të.
Ky është një problem që e ka goditur rëndë autoritetin e qeverisë britanike, sidomos të sekretares së nrendshme, Suela Braveman, dhe kryeministrit Sunak. Është e paqartë se si do të përfundojë kjo punë, e cila ka ngritur disa tema për debat, që nga parimet e gazetarisë, lirisë së shprehjes e deri te themeli i politikës. Pa marrë parasyshë se cili është fundi, dëmi për qeverinë nuk është i vogël dhe ky është një rast që dëshmon se në Angli futbolli dhe njerëzit e futbollit janë të fuqishëm.