Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti foli para takimit në Ohër me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç duke theksuar se bisedimet do të fokusohen në Aneksin e implementimit të planit franko-gjerman.
Kurti shtoi se diskutimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes vjen në kohën kur nuk ka ende një tekst përfundimtar mbi marrëveshjen dhe për sa kohë ky tekst mungon, nuk mund të jetë një marrëveshje të firmosur.
“Do të kemi bisedime për planin e zbatimit sepse nuk ka tekst të përfunduar. Përderisa nuk ka tekst të përfunduar, nuk mund të ketë përfundim të bisedimeve, e përderisa nuk ka përfundim të bisedimeve nuk mund të ketë marrëveshje. Unë jam këtu për dialog parimor, të hapur, serioz që duhet të rezultojë në marrëveshje, e marrëveshja nënkupton tekst përfundimtar dhe të dakorduar. Nuk kam ardhur për bisedime për bisedime, por për bisedime për marrëveshje.”- tha Kurti.
Nga ana tjetër, Aleksandër Vuçiç paralajmëroi dje nga Beogradi se ai nuk do të firmoste asnjë marrëveshje që sipas tij do të sillte kapitullimin e Serbisë duke pasur parasysh anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në OKB dhe NATO.
Mundësitë që takimi i Ohrit të prodhojë një marrëveshje të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia duken minimale.