Kryeredaktori i lajmeve në Top Channel, Altin Kreka tha në një dalje televizive se ka pasur një verifikim paraprak lidhur me informacionet e ardhura për lidhjen e Monika Kryemadhit me financimet ruse.
Kreka theksoi se informacionet janë përcjellë nga platforma Proton e regjistruar në Zvicër.
Ai shtoi se informacionet e mbërritura në e-mailin e Top Channel po ashtu kanë mbërritur dhe në disa media të tjera.
“Të dhënat që ne kemi publikuar pak ditë më parë kanë mbërritur në e-mailin zyrtar të redaksisë së Top Channel disa ditë më parë, rreth datës 22 dhe ne nga ajo datë deri në këtë moment kemi marrë kohën tonë për t’i verifikuar. Në dijeninë time këto të dhëna nga një burim anonim kanë mbërritur edhe në media të tjera, arsyet perse nuk i kanë publikuar mbase i shpjegojnë ata. Por ne vendosëm, morëm një vendim editorial pas verifikimeve që bëmë për t’i publikuar.
Janë dokumente dhe burime të hapura si Forbes, burime të dokumenteve të Pandora Papers. Çdokush mund t’i kërkojë personazhet e ndryshëm, aksionerët e këtyre kompanive që janë sanksionuar nga Perëndimi për lidhjet e tyre me Putin, apo partitë që mbështet Putin, apo kompani që janë dënuar për korrupsion apo punë të pista.” – tha kryeredaktori i Top Chanel.