Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Klinton, u shpreh i penduar dhe pranoi se kishte gabuar me marrëveshjen e vitit 1994 për heqjen e armëve bërthamore nga Ukraina

Gjatë një interviste në mediumin irlandez RTE, Klinton tha se ndihej përgjegjës për atë vendim, pasi beson se nëse Ukraina do e kishte sërish arsenalin bërthamor, Rusia nuk do të guxonte ta sulmonte

“Ndjej një përgjegjësi personale sepse e bëra Ukrainën të pranonte të hiqte dorë nga armët e saj bërthamore. Dhe asnjëri nuk beson se Rusia do të kishte bërë një zgjedhje të tillë nëse Ukraina do t’i kishte ende ato armë.”-  tha ish-presidenti amerikan.

Në janar 1994, Klinton nënshkroi një marrëveshje trepalëshe me presidentët e atëhershëm të Rusisë, Boris Jelcin dhe atë Ukrainas, Leonid Kravçuk për çmontimin e arsenalit të armëve bërthamore që kishin mbetur në tokën ukrainase pas rënies së Bashkimit Sovjetik. 

Po atë vit, SHBA-të nënshkruan një tjetër marrëveshje me Rusinë e cila zotohej të njihte integritetin territorial të Ukrainës. 

Klinton shtoi se marrëveshja u shkel nga Vladimir Putin kur ky i fundit ndërmori sulmin ndaj Krimesë në 2014-ën

“E dija që presidenti Putin nuk e mbështeti marrëveshjen e presidentit Jelcin për të mos shkelur kurrë kufijtë territorialë të Ukrainës, marrëveshje që ai e bëri sepse donte që Ukraina të hiqte dorë nga armët e saj bërthamore.

Kur u krijuan kushtet, presidenti Putin e theu këtë marrëveshje dhe mori së pari Krimenë . Ndihem shumë keq për këtë, sepse Ukraina është një vend shumë i rëndësishëm..” – u shpreh Klinton.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *