Banorët e Bërxullës nuk e pranuan kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Vorën, Indrit Hoxha në protestën që po zhvillojnë për kundërshtimin e projektit të rrugës Thumanë-Kashar.
Banorët u shprehën të indinjuar nga prania e Hoxhës duke i kërkuar të largohej pasi sipas tyre të gjithë përfaqësuesit e partive politike janë hajdutë.
“Nuk duam mbështetje nga kandidatët. Nuk kemi nevojë fare për kryetar bashkie. Nuk e duam fare. Mos e filmoni fare edhe ju gazetarët. Na lini në hallet tona.”– tha një nga banorët.
Të tjerë protestues thanë se politikanët synojnë të përdorin protestën e tyre për interesa të politikës ditore.
Banorët e Bërxullës protestojnë prej shtatë muajsh duke akuzuar qeverinë se nuk po i kompenson për pronat e tyre që preken nga projekti i rrugës Thumanë-Kashar.