Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla mohoi zërat për një përplasje mes saj dhe kryeministrit Albin Kurti lidhur me përmbajtjen e aneksit të marrëveshjes me Serbinë të arritur në takimin e Ohrit.
Gërvalla shtoi se këta zëra janë përpjekje për të krijuar përçarje në koalicionin qeveritar.
“Të gjitha hapat që i bëjmë edhe në raport me marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit dhe në raport me gjitha vendimet që marrim, nuk është sekret që ne kemi një takim të rregullt të udhëheqësve të institucioneve më të larta të shtetit. Pra, kryetarit të Kuvendit, presidencës dhe kryeministrit, në të cilat gjithmonë jam e pranishme edhe unë. Jam pjesë e të gjitha proceseve, përpjekjet janë shumë naive për të na paraqitur sikur kemi qëndrime të ndryshme. Qëndrimet janë të Republikës së Kosovës, nuk janë individuale, as të kryeministrit, as të kryetarit të Kuvendit dhe as të ministres. Nuk kam asnjë problem, përkundrazi kam përkrahur kryeministrin në strategjinë e zgjedhur.”- u shpreh Gërvalla.