Të dhënat përfundimtare të publikuara nga Zyra e Statistikave të Emigracionit, Mbretëria e Bashkuar tregojnë se numri i aplikimeve për azil gjithsej nga shtetasit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar ishte 15,925, duke shënuar një nivel rekord për këtë vend – raporton Monitor.
Në krahasim me vitet e mëparshme, aplikimet për azil janë rritur ndjeshëm. Në 2021-n numri i aplikantëve nga Shqipëria ishte 5,147, ndërsa në periudhën 2013- 2018 kishte qenë mesatarisht më pak se 3 mijë persona në vit. Nga viti 2003 deri në 2011 aplikimet nuk i arrinin as 200 në vit (shiko grafikun: Aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar) – thekson Monitor.
Më shqetësuese është përbërja e azilantëve sipas grupmoshave, teksa dukshëm janë moshat e reja ato që duan të ikin nga vendi me çfarëdolloj mënyre. Të dhënat tregojnë se gati 58% e aplikimeve për azil në Mbretërinë e Bashkuar në 2022-n i përkiste grupmoshave 18-29 vjeç. Rreth 13.7% e aplikimeve janë bërë nga fëmijë më pak se 18 vjeç, shpesh edhe të pashoqëruar, teksa 42% e aplikimeve janë bërë nga vetë të miturit si aplikantë kryesorë ndërsa pjesa tjetër kanë qenë në varësi të dikujt tjetër.
Në total, 72% e aplikantëve, ose 11.3 mijë të rinj, ishin të grupmoshës deri në 29 vjeç. (shiko grafikun: Aplikimet për azil në Mbretërnë e Bashkuar nga shtetas shqiptarë, sipas grupmoshave, 2022).
Nuk po ikin vetëm të rinjtë. Grupi i dytë më i madh i azilantëve i përkiste grupmoshës 30-49 vjeç, me 27% të totalit, që në një pjesë të konsiderueshme janë familje, që ikin bashkë me fëmijët. Vetëm 1.5% e azilantëve ishte mbi 50 vjeç.- konkludohet nga të dhënat e përpunuara nga Monitor.
Viti rekord i aplkimeve për azil mbetet 2015-ta, vit në të cilin 69 mijë shqiptarë aplikuan për azil në vendet e bashkimit Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar.