Dimitei Aspasiev, drejtues i “Levicë-s”, e njohur si lëvizja neokomuniste maqedonase, kreu homazhe pranë varrit të ish-diktatorit, Enver Hoxha.
I shoqëruar nga disa bashkëpunëtorë, Aspasiev u përkul para varrit të Hoxhës për të cilin “Levica” pati plot lëvdata.
“Levica” njihet për orientimin dhe ligjërimin e saj radikal antiperëndimor, ndërkohë që disa parti shqiptare e akuzojnë se pas ligjërimit antiperëndimor fshihet urrejtja ideologjike që kjo parti ka për shqiptarët.
“I majtë i përkushtuar dhe antirevizionist, Hoxha është themeluesi i shtetit modern shqiptar dhe sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë (më vonë u quajt Partia e Punës), e cila u themelua me mbështetjen e Jugosllavisë dhe sovjetikëve. Ky student francez u bë simboli i rezistencës antifashiste të fqinjëve tanë kundër pushtimit italian, duke vepruar si komisar politik i Ushtrisë Popullore Çlirimtare të Shqipërisë.”- thuhet ndër të tjera në komunikatën e “Levicë-s” për Enver Hoxhën.