Nga Gjergj Erebara
Bankat qendrore në të gjithë botën kanë pësuar një ecuri të ngjashme gjatë vitit të kaluar duke u prekur nga të njëjtat fenomene. Banka Qendrore Evropiane mbylli vitin e kaluar me 1.6 miliardë euro humbje dhe bankat e tjera qendrore të vendeve anëtare kanë të njëjtën ecuri. Banka Qendrore e Zvicrës humbi 143 miliardë lekë, njoftoi NCBC.
Humbjet e bankës qendrore nuk janë domethënëse për ekonominë e gjerë pasi qëllimi i ekzistencës së këtyre bankave është ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe jo nxjerrja e fitimeve. Në situata të zakonshme, bankat qendrore nxjerrin fitime, të cilat i transferojnë te buxheti i qeverisë në formën e dividentit. Gjithsesi, fakti që humbjet janë kaq të mëdha, do të thotë se dividentë të tillë në financat publike ka gjasa nuk do të derdhen për ca vite.
Humbjet nga titujt
Banka e Shqipërisë ka një total asetesh prej 732 miliardë lekësh nga të cilat, 485 miliardë janë të investuara në tituj borxhi, përfshirë borxhe të qeverisë shqiptare. Ndërsa interesat e titujve të borxhit u rritën me shpejtësi vitin e kaluar, vlera aktuale e titujve të borxhit të mbajtura nga BSH nga blerjet e viteve të mëparshme, ra. Kjo bëri që vlera e instrumenteve të borxhit të mbajtura nga BSH të ulej me 13.5 miliardë lekë, një tendencë që vijon që nga viti i kaluar. Njëkohësisht, Banka e Shqipërisë humbi nga tregtimi i titujve të borxhit 4.2 miliardë lekë.
Por humbjet më të mëdha u shënuan nga ndryshimet në kursin e këmbimit. Një pjesë e aseteve të bankës qendrore mbahen në monedha të ndryshme nga leku, apo janë në formën e arit monetar. Forcimi i lekut kundrejt monedhave të huaja bën që vlera e aseteve të mbajtura në monedha të huaja të bjerë.
Bilanci i Bankës së Shqipërisë shënon humbje nga kursi i këmbimit në masën 14.5 miliardë lekë.
Si pasojë e humbjeve, rezervat dhe kapitali i Bankës së Shqipërisë ranë nga 30 miliardë lekë në vitin 2021, në pak më shumë se 5 miliardë lekë në vitin 2022.
Situata mund të ndryshojë financiarisht këtë vit në rast se interesat e titujve të borxhit të mbajtura nga BSH ulen dhe rrjedhimisht, vlera aktuale e këtyre titujve rritet. Gjithashtu, rritja e përgjithshme e interesave pas një dekade me interesa shumë të ulëta pritet normalisht të sjellë rritje të të ardhurave të bankës qendrore. Për shembull, gjatë vitit 2022, të ardhurat neto nga interesi u rritën me mbi tre herë, nga 1.2 miliardë lekë në 3.6 miliardë. Gjithsesi, këto të ardhura ishin asgjë në krahasim me humbjet e pësuara nga tregtimi i aktiveve financiare apo nga kursi i këmbimit.
Burimi: Reporter.al