Sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho shpërtheu në akuza ndaj sistemit arsimor në Shqipëri.

Duke folur në një konferencë shtypi, Jaho theksoi se erdhi për të dhënë mësim në Teatrin e Operas, por mbeti e zhgënjyer nga mosprania e studentëve dhe pedagogëve në auditore.

Jaho tha se kjo mendësi është e papranueshme për një disiplinë studimore që synon të prodhojë artistët e së ardhmes.

“Po e mbaj e po e mbaj por po e them troç fare: unë kam ardhur këtu dhe nuk kam pas asnjë pedagog nga Akademia. Kam ardhur këtu dhe nuk kam parë studentë të regjistrohen. Nuk po them se po sjell diçka të jashtëzakonshme, apo dua të luftoj dikë këtu. Edhe këta studentëve që kanë ardhur, këta këngëtarë të rinj, kanë ardhur nga jashtë. Jam aq e ngarkuar dhe prandaj kam kaq shumë për të thënë. Mendoj që ky është një lloj egoizmi ndoshta, unë këtë e kam provuar para 30 vitesh, por më duket se është akoma edhe sot. Një pedagog nuk të jep dot 100%. Studentët ndoshta mungojnë se nuk i lënë pedagogët.” – u shpreh Jaho.

Ermonela Jaho shtoi se studentët shqiptarë duhet të kultivojnë idenë së sukseset arrihen më sakrifica dhe përpjekje të mëdha duke sjellë si model sakrificat që ajo vetë ka kaluar për të mbërritur kredencialet artistike që gëzon sot.

“Unë vij këtu me një dashuri të pakushtëzuar sepse vë veten në vendin e këtyre artistëve. Dhe t’u jepet një shpresë sepse është e trishtë kur dëgjon që kanë studiuar 10 apo 15 vite dhe nuk janë të konkurrueshëm me botën. Shkolla jonë të jep diçka mua më ka dhënë diçka, më vonë unë e kam mësuar me luftë e me torturë, me një sakrificë të madhe kam dalë jashtë ta marr dhe këtë përvojë është detyrimi ynë si artistë ta sjellim këtu. Sepse kemi talente e zëra të bukur, por nuk kanë disiplinë e nuk janë të konkurueshëm. Të paktën të dish e të jesh në gjendje teknike të këndosh një opera 3 orëshe. I shikoja se vinin me frikën se mos thoshin gjë pedagogët. Ua them me shpirt. Nuk kam ardhur këtu për të kritikuar njëri-tjetrin. Unë vë gurin tim. Më jep dhe ti një gur tëndin të ndërtojmë diçka.” – tha sopranoja.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *